“Siguria kunder Privatesise” apo “Liria kunder Kontrollit”?

by Einar

Privatesia

Privatësia

Administratori i deleguar i Google Eric Shmidt në dhjetor foli për privatësinë Ai tha që:

Nëse bëni diçka që nuk dëshironi që të tjerët ta dinë, ndoshta pikë së pari ju nuk duhet ta bëni atë. Nëse me të vërtetë ju duhet një privatësi e tillë, e vërteta është se motorrët e kërkimit – duke përfshirë edhe Google – i ruajnë këto informacione për shumë kohë dhe është e rëndësishme të kuptoni që në USA i gjithë informacioni mund të vendoset në dispozicion të autoriteteve.

E vërteta është se privatësia na mbron nga ata që kanë pushtetin edhe nëse nuk po bëjmë asgjë të keqe apo nuk po thyejmë ligjin në momentin e vëzhgimit!

Nuk bëjmë asgjë të gabuar nëse kërkojmë për mendime apo debate (politike), kur lexojmë x apo y gazetë online, kur komentojmë mbi x apo y vendim politik(sidoqoftë janë informacione personale dhe në një të nesërme mund të keqpërdoren nga të tjerët).

Nëse jemi të vëzhguar në aktivitetin tonë online, ne do gjëndemi nën presionin konstant të korrigjimit, gjykimit, kritikave nga ana e “dikujt” (në rastin në fjalë, të pushtetit). Do rikthehemi sërish në “fëmijë”, të kontrolluar nga “nëna” mbi gabimet që kryejmë.

Në mënyrë konstante ne do kemi frikë që, në mos tani në një të ardhme të afërt, gjurmët që do lëmë pas online do risillen të na implikojnë në situata të ndryshme, nga cilido autoritet (pushtet) i cili do gjëndet në pozicionin e vëzhguesit në atë moment historik. Ne do humbasim individualitetin tonë, pasi çdo gjë që ne bëjmë do jetë e vëzhgueshme dhe e rregjistruar.

Privatësia është një nevojë themelore e njerëzimit!

Ne nuk duam që njerëzit të dinë çfarë kemi kërkuar online! Nuk duam të dinë që kemi kërkuar në google për “Pse tradhëtojnë femrat”. Këto do ishin informacione sensitive dhe të dhimbshme që nuk do dëshironim të dihen nga të tjerët apo të jenë subjekt bisede mbi personalitetin tonë një të nesërme! Nëse marrim një shembull të thjeshtë që do ekzistonte mundësia, sado e vogël, që në një të ardhme google të kishte një humbje të dhënash mbi kërkimet online të bëra nga ne, (apo të të dhenave që shkëmbehen nga “Google” me autoritetet e ndryshme policore), kërkimet e mia do ishin publike dhe të lehta për tu gjetur nga njerëzit e ndryshëm. Unë qëndroj gjithë kohës i loguar tek llogaria ime e Gmail, ndaj kolegët e mi të punës nuk do kishin as nevojë të dinin IP time. Ajo që do mjaftonte të bënin do ishte të kërkonin në google me emailin tim, ose ndoshta thjesht me emër dhe mbiemër të plotë!

Por kjo nuk është e gjitha. Unë e dua privatësinë time pasi mbase po thyej ligjin dhe nuk dua të më gjejnë dhe të më dënojnë. Nuk është se po flas për vjedhje makinash, vrasje, pra krime të rënda! Në një mënyrë ose në një tjetër të gjithë e thyejmë ligjin. Ndoshta çdo ditë. Mund të bëhet fjalë për thyerje të vogla, 15 km në orë mbi limitin e duhur, parkim të makinës për 2 minuta në një vend të ndaluar ku tabela të thotë qartë “ndalim parkimi”. Apo për gjëra më të rënda, instalim Keylogeri në kompjutera të ndryshëm… Thyerje të programeve të ndryshme… Shkarkim të filmave online nga adresa të konsideruara të jashtëligjshme…

Çfarë mund të thuhet për situatën kur nuk jeni në dijeni që po thyeni ligjin?

I keni lexuar të gjitha ligjet të cilat duhen respektuar?
Momentalisht ndodhem në Itali, këtu thuhet qartë, “La legge non amette l’ignoranza!” ndërsa në SHBA thuhet “Ignorance of the law does not excuse.” Nuk e di nëse në Shqiperi apo në vëndet ku jetoni një gjë e tillë është e parashikuar, por duke qënë që rruga drejt një globalizimi po bën hapat e parë së shpejti do jetë për të gjithë “Injoranca/Jo dijenia ndaj ligjit nuk vlen si justifikim!”. Të gjithëve na kërkohet të dimë dhe të ndjekim ligjet e vendit ku jetojmë. Qeveria asnjëherë nuk merr parasysh që kjo mund të jetë e pamundur nga ana materiale apo fizike. Do gjendeshim në vështirësi, sikur edhe vetëm të tentonim të lexonim ligjet, duke parë shpejtësinë që ju duhet legjislatorëve ti shkruajnë ato. Lëre pastaj të jemi në dijeni të morise së ligjeve që me kalimin e viteve apo shekujve janë shkruar.

Pasoja do ishte humbja e lirisë nëse privatësia do tutelohej në një mënyrë të tillë nga autoriteti.

Nëse nuk gabohem (duke mos e përjetuar vetë një situatë të tillë, kam qënë i vogël në moshë) kjo ka qënë jeta në kohën e Enverit dhe do rikthehet sërish nëse një sy vëzhgues një të nesërme do lejohet të futet në jetën tonë personale, në jetën tonë private.

Shumë persona bëjnë gabimin e të menduarit që bëhet fjalë për “Siguria kundër Privatësisë”. Mendoj që krahasimi i saktë do ishte “Liria kundër Kontrollit”. Tirania ngado të vijë, duke sjellë si rezultat një vëzhgim të tillë si nga ana fizike apo ajo e vëzhgimit tonë nga ana e autoritetit online, mbetet tirani! Liria kërkon siguri pa “futur hundët” në jetën private, ajo që duhet është “Siguri plus Privatësi”! Një situatë e tillë që propozohet, ku të gjithë të jemi nën vëzhgim, është sinonimi i shtetit policor! Ndaj duhet mbrojtur privatësia edhe nëse nuk kemi asgjë për të fshehur! Unë dua privatësi!

Duhet thënë që rrallëherë thyej ligje (mendoj pa dijeni), por jam i sigurtë që ndonjëherë ka ndodhur. Kam prishur jetën e ndonjërit? Jo. Kam dëmtuar nga ana financiare jetën e ndonjërit? Jo. Kam thyer privatësinë e të tjerëve? Jo.

Atëherë më lini të qetë. Ndoshta nëse po bëj diçka online që nuk dua ta dinë të tjerët, unë sërish do e bëj, i bindur që jetojmë në një shtet demokratik dhe të lirë dhe që e drejta ime e privatësisë është e siguruar – derisa unë të bëj diçka me të vërtetë të rëndë që të ndiqem nga ana ligjore!

{ 3 comments… read them below or add one }

Mandi February 1, 2010 at 9:24 pm

Eshte artikulli me i mire qe kam lexuar ne shume kohe Einar!
.-= Mandi´s last blog ..Teknika Kerkimi Mbi Arkiven E Lajmeve Tek Infoarkiva =-.

Reply

Jonian Dervishi February 2, 2010 at 2:19 pm

Citim ~ Momentalisht ndodhem në Itali, këtu thuhet qartë, “La legge non amette l’ignoranza!” ndërsa në SHBA thuhet “Ignorance of the law does not excuse.” Nuk e di nëse në Shqiperi apo në vëndet ku jetoni një gjë e tillë është e parashikuar, por duke qënë që rruga drejt një globalizimi po bën hapat e parë së shpejti do jetë për të gjithë “Injoranca/Jo dijenia ndaj ligjit nuk vlen si justifikim!”. ~

Nuk di pse mendoni se Shqiperia eshte ne epoken e gurit ! Sigurisht qe ajo vlen edhe per ne Shqiperi dhe nuk keni pse te beni pyetje te tilla…Kjo eshte sqaruar qe nga ligji i 12 Tabelave shume shekuj me perpara…

P.S : ndjek edhe studimet per juridik mo :p (qenkemi te te njejtes fushe vetem se besoj se une jam ne hapat 0.5 :p)

Reply

Einar February 3, 2010 at 1:12 am

@Mandi, faleminderit per komentin! Mund te japesh ndonje mendim me teper mbi privatesine nese e shikon te arsyeshme. E di qe eshte nje argument shume i gjere dhe i komplikuar i cili nuk mund te mbulohet me nje artikull te tille.

@Jonian 🙂 ndoshta jam shprehur gabim, nuk kam dashur te ve ne dyshim eshte apo jo e vertete, por nuk doja te gaboja dhe te thoja ndodhet tek x apo y norme ligjore…

Nuk mu kujtua ligji i 12 tabelave, e drejta romake eshte baza e civil law ku dhe ne bejme pjese, faji im. 🙂

Ps: Suksese me studimet e tua.

Reply

Leave a Comment

Previous post:

Next post: